Oklahoma City Thunder vazhduan ecurinë perfekte, duke arritur fitoren e tetë radhazi (126-107) dhe duke mbetur të pamposhtur në këtë fillim sezoni. Në fushën e Clippers, Thunder morën kontrollin në fund të periodës së tretë falë tripleve të Isaiah Joe dhe lojës së pandalshme të Shai Gilgeous-Alexander, i cili përfundoi me 30 pikë e 12 asistime. Clippers, pa Kawhi Leonard dhe me një ekip që duket i lodhur e i ngadaltë, rezistuan vetëm një pjesë para se të dorëzoheshin, ndërsa OKC shfaqën energji dhe kohezion të lartë pavarësisht mungesës së Jalen Williams.
Chicago Bulls realizuan një nga përmbysjet më të mëdha të sezonit, duke rikuperuar 24 pikë ndaj Philadelphia-s dhe duke fituar 113-111 falë një supermbrëmjeje të Josh Giddey, i cili regjistroi ‘triple-double’ e dytë radhazi (29 pikë, 15 kërcime, 12 asistime), diçka që nuk kishte ndodhur te Bulls-at që nga Michael Jordan në vitin 1989. Sikurse edhe mbyllja dramatike, ‘triple’ vendimtar erdhi nga Vucevic tri sekonda para fundit. 76ers, pavarësisht 39 pikëve të Maxey, u shuan në periodën e katërt dhe u detyruan të pranonin humbjen, ndërsa rikthimi i McCain ishte ngushëllimi i vetëm në një natë të hidhur.
Golden State Warriors ruajtën rekordin perfekt në shtëpi (4-0) duke mposhtur bindshëm Phoenix Suns 118-107. Steph Curry shënoi 28 pikë, ndërsa Moses Moody kontribuoi me 24 pikë nga stoli. Warriors dominuan sfidën që nga fillimi, edhe pse Butler luajti shumë pak për shkak dëmtimi. Suns shpresuan te performanca prej 38 pikësh të Devin Booker, por nuk arritën kurrë të kërcënonin realisht fitoren e kundërshtarëve.
Toronto Raptors siguruan fitoren e tretë radhazi duke dominuar Milwaukee Bucks 128-100. Barnes dhe Barrett udhëhoqën kanadezët me nga 23 pikë secili, duke përfituar nga lodhja e Bucks pas ndeshjes së vështirë të një nate më parë. Toronto treguan intensitet e freski fizike, duke u hakmarrë kështu për humbjen e pësuar në ndeshjen hapëse të sezonit kundër Milwaukee-t.
Atlanta Hawks mposhtën me autoritet Orlando Magic 127-112, pavarësisht mungesës së Trae Young, i cili pritet të mungojë për një muaj. Hawks shënuan me efikasitet të lartë dhe dominuan takimin, me gjithë lojtarët e formacionit titullar që përfunduan e me numra dyshifrorë. Magic humbën kontrollin dhe e mbyllën takimin me nervozizëm, me Bane të përjashtuar për sjellje antisportive.
New Orleans Pelicans morën fitoren e parë të sezonit 116-112 ndaj Hornets falë një trepikëshi vendimtar të Alvarado në sekondat e fundit. Pa Zion Williamson, Pelicans u mbështetën te lojtari debutues Queen, i cili shënoi 12 pikë në periodën e fundit dhe bëri diferencën. Charlotte Hornets luajtën mirë për tri perioda dhe u mbështetën te ‘rookie’ Knueppel (20 pikë, 12 kërcime), por u shpërbënë në momentet vendimtare të duelit.
sfidanti.al

