Xabi Alonso, i zhgënjyer: Ishte ndeshje për barazim

Real Madrid u largua me humbje nga “Anfield”, ku Liverpool-i triumfoi minimalisht 1-0 në duelin e katërt të Champions League. Ky rezultat frenon ritmin e madrilenëve në garën kontinentale, duke e bërë grupin më të ngushtë dhe rivalitetin më të ashpër për kualifikim. Pas sfidës, trajneri Xabi Alonso shprehu keqardhje për rezultatin, duke theksuar se ekipi i tij e meritonte të paktën një pikë: “Dueli ishte i balancuar. Në fillim hymë disi ngadalë, por më pas gjetëm ritmin dhe mbyllëm mirë pjesën e parë. Në fund pësuam shumë goditje nga këndi dhe situata të rrezikshme pas faulleve.”

Tekniku spanjoll shtoi se gabime të vogla ndikuan në rrjedhën e lojës: “Në pjesën e dytë patëm disa ndërhyrje të panevojshme që u shndërruan në goditje të lira kundër nesh. Humbëm iniciativën dhe na mungoi qartësia për të depërtuar në zonën e fundit. U përpoqëm të ndryshonim me një mesfushor më tepër, me Arda Güler më qendror, por nuk mjaftoi.”

Ai mohoi çdo paralelizëm me humbjen e thellë kundër Atletico Madridit: “Kjo ndeshje nuk ka asnjë lidhje me atë 5-2. Sot ishim të organizuar, e lexuam mirë fushën dhe humbja erdhi në mënyrë krejt tjetër. Këto janë sfida të mëdha dhe jo çdo herë rrjedhin siç dëshirojmë.” Pavarësisht dështimit, Alonso u shfaq i vendosur të rikthejë ekipin në rrugën e suksesit në ndeshjet e ardhshme të grupit.

Sfidanti.al