Siti hedh Junajtidin në tapet, Kristiano ta shohë titullin “me dylbi”!

Ishte ndoshta mundësia e fundit, dhe nuk u arrit të shfrytëzohej. Pas fitores 3-0 në fushën e Totenhemit dhe barazimit në Itali ndaj  Atalantës në Champions, u mendua që Mançester Junajtidi mund të bënte kthesën këtë sezon dhe të ishte sërish një skuadër e madhe, e denjë për titullin. E kundërta ndodhi, dhe “djajtë e kuq” të trajnerit Ole Gunar Solskjer u duken thuajse po aq të vegjël sa në humbjen 0-5 në shtëpi ndaj Liverpulit, ndonëse në fund shifrat në “Old Traford” ishin 2-0 për Mançester Sitin. Kampionët në fuqi të Premier Ligës dominuan nga fillimi deri në fund, dhe duhej të kishin shënuar shumë më tepër gola, por u ndaluan nga portieri vendas, David De Gea. Spanjolli bëri pritje të jashtëzakonshme sidomos në pjesën e parë, duke mos lejuar që kriza e Junajtidit të shfaqej në përmasat e vërteta.

Kristiano Ronaldo, edhe pse tepër ambicioz, e pati të pamundur të tregonte veten, ndonëse e vuri ndonjëherë në vështirësi portierin e Sitit, Ederson. Debati për Ronaldon do të vazhdojë, nëse është sukses apo dështim, ndërsa për Mançester Junajtidin duket se nuk ka më diskutim. Ky ekip nuk lufton dot për titull me Çelsin, Liverpulin e Sitin, ndërsa trajneri Solskjer rrezikon seriozisht pozitat e tij. Ekipi i Pep Guardiolës triumfoi falë autogolit të Bejlit dhe golit të Bernardo Silvës, duke e pasur të lehtë ndonëse nuk ishte në maksimum.

Sfidanti.al