Nëse ke qenë dikur i suksesshëm, kjo nuk është garanci për të ardhmen. E parashikoi Arrigo Saki që Masimiliano Alegri do të kishte vështirësi tek Juventusi kur deklaroi se “rikthimet zakonisht nuk janë të suksesshme”. Trajneri i njohur fitoi 4 tituj kampion me Juventusin derisa vendosën të mos e mbanin në 2018 duke sjellë Mauricio Sarrin. Gjithsesi, drejtuesit e klubit gjykuan se as Sarri dhe as Pirlo nuk bënë dot atë që pritej prej tyre, ndaj rikthyen Alegrin. Gjithsesi, pas 10 ndeshjeve të para në Serinë A, statistikat janë “përtokë”. Alegri ka fituar vetëm 15 pikë, ndaj 20 të Pirlos dhe 26 të Sarrit, një diferencë tepër e madhe për t’u pranuar tek “Zonja e Vjetër”.
Golaverazhi është 14-13, ndërsa në këtë moment vjet me Pirlon ishte 18-7. Kaq shumë gola në 10 ndeshje janë pësuar vetëm në 1992-1993. Zemërimin që ka përfshirë “kupolën” e Juventusit e tregoi reagimi instinktiv i Pavel Nedvedit që bërtiti diçka ndaj një kolegu të bordit drejtues. Gjendja bëhet më e keqe nga fakti se me Alegrin loja nuk ka bukuri, ndryshe nga Sarri e Pirlo, dhe kur nuk ka as rezultate gjendja bëhet e padurueshme. Nuk dihet nëse do të arrihet kthesa. Vetë Alegri deklaron se “është e kotë t’i vendosim vetes objektiva, duhet vetëm të reflektojmë”.
Sfidanti.al