Kriza e Partizanit, klubi mendon përtej Dajës, por nuk dihet nëse do të marrë Ze Marinë apo Duron?!

Kriza është e ulur këmbëkryq. Jo thjesht sepse u humb një derbi, por sidomos sepse Partizani ka vetëm 4 pikë në 6 ndeshje të kampionatit, gjendja në klubin kryeqytetas është bërë e vështirë. Burime në klub pohojnë se trajneri Ilir Daja rrezikon postin, ndërsa kandidatë për stolin janë ish-tekniku i Tiranës, Ze Maria, dhe trajneri i njohur shqiptar, Shpëtim Duro. Braziliani Ze Maria ishte në Arenë për të ndjekur derbin, dhe drejtori sportiv, Olsi Rama e presidenti Gazmend Demi, janë duke shqyrtuar situatën për të marrë një vendim. Të njëjtat burime në klub pohojnë se disa lojtarë i kanë kërkuar drejtuesve rikthimin e Shpëtim Duros, i cili e ka drejtuar Partizanin disa herë gjatë karrierës së tij si trajner.

Diskutohet që një pjesë e lojtarëve kanë pakënaqësi ndaj teknikut aktual, edhe për shkak të theksimit të madh që vendoset tek përgatitja teorike, apo edhe për shkak se nuk luajnë. Partizani bëri shpenzime të mëdha gjatë verës, duke marrë lojtarë si Ergys Kaçe që besohet se paguhet me 120 000 euro në sezon, dhe që nuk ishte në derbi për shkak dëmtimi, apo edhe Filipoviç e Herald Marku, që aktivizohet pak nga trajneri. Të kuqtë nuk kanë ende asnjë fitore në 6 javët e para të Abisnet Superligës, duke arritur 4 barazime e duke pësuar 2 humbje, ndaj edhe objektivat për titullin apo për Europën janë të rrezikuara.

Sfidanti.al