Përfundoi ashtu siç parashikohej, dhe konkluzioni pas sfidës në “Kamp Nou” ishte se Madridi është dukshëm një skuadër më e mirë sesa Barcelona. El Klasiko nuk është se nuk pati histori, pasi që të dyja skuadrat patën raste në duelin që përfundoi 2-1 për miqtë në La Liga, veçse në fushë u pa një ekip i formuar nga burra, dhe i ekuilibruar edhe kur ishte në vështirësi, dhe një ekip shumë më i vogël në mentalitet dhe organizim loje.
Nuk duhet të habitemi për ato që ka hequr Barcelona këto kohë, madje duhet thënë se shifrat 1-2 ishin më mirë sesa mund të kishin qenë, ndërsa në Spanjë theksuan se Reali i Karlo Ançelotit “luajti me zjarrin”. “Merengesit” e nisën keq ndeshjen dhe duhej të kishin qenë në dizavantazh kur Dest shpërdoroi një gol të sigurt. Pas pushimit, me shifrat 0-1, Depai dhe Fati pati mundësi, por edhe Reali gjithashtu.
Fitorja erdhi me golat e shënuar nga David Alaba që u tregua një mbrojtës si Sergio Ramos, madje edhe më shumë sesa ish-kapiteni, pasi e nisi dhe e përfundoi vetë aksionin e golit të parë. Në pjesën e dytë shënoi Lukas Vaskez, ndërsa Kun Aguero thjesht ngushoi shifrat në fund për katalanasit, në El Klasikon e tij të parë, duke hyrë si zëvendësues. Reali ka 20 pikë në renditje, duke qenë gjithnjë me ekipet e kreut si Sociedad, Sevilja, apo edhe Atletiko e Madridit, ndërsa Barcelona është në kuotën e 15 pikëve e po mbetet prapa.
Sfidanti.al