Biletat e derbit, pas FSHF-së edhe Tirana luan “kukafshehti” me masat anti-Kovid!

U mendua se për kombëtaren do të ishte një rast edhe aq. Në të kundërt, skema që u përdor për shitjen e biletave në ndeshjen Shqipëri-Poloni në eleminatoret e Kupës së Botës, po zbatohet mesa duket edhe për derbin e kryeqytetit. Edhe pse Tirana njofton zyrtarisht se do të shesë vetëm 30 për qind të kartave hyrëse për ndeshjen e së hënës në Abisnet Superligë, ku është pritëse, faktet flasin ndryshe. Burime në agjencinë e shitjes së biletave në kryeqytet bëjnë me dijë se deri ditën e sotme janë shitur rreth 50 për qind e tyre, pra 20 për qind më shumë sesa kufiri i lejuar. Ka përfunduar blerja për unazën e poshtme në tribunën lindore, dhe për tribunat prapa portave, dhe ka nisur shitja e unazës së sipërme. Po sipas këtyre burimeve, në biletari dhe nëpërmjet internetit janë nxjerrë në dispozicion të tifozëve 75 për qind e totalit, veçse kjo sasi mund të rritet nëse blihen që të gjitha.

Interesimi më i madh ka qenë gjatë të mërkurës, të enjtes dhe të premtes, ndërsa fundjava ka qenë më e qetë. Tirana ka vendosur për ndeshjen ndaj Partizanit çmimet 500 lekë të reja prapa portave, 1500 në tribunën lindore, si dhe 3 000, 4 000 e 5 000 në tribunën qendrore. Deri tani, klubi bardheblu mund të ketë fituar 13 milionë lekë, ndërsa fitimi mund të arrijë të paktën deri në 20 milionë, dhe kjo gjë do të thotë se të ardhurat do të ishin të mëdha edhe në rast gjobe për shkak të shkeljes së masave kufizuese për Kovidin. Drejtuesit e Tiranës janë takuar me autoritetet policore lidhur me mbarëvajtjen e ndeshjes, për të mos pasur incidente si ato që ndodhën ndaj Polonisë, dhe pritet rrethim i fortë jashtë stadiumit, dhe mos shitje e shisheve të ujit në “Arenën Air Albania”.

Sfidanti.al