Broja, në nivelin e Mesit, Halandit e Salahut për Golin e Vitit!

Nuk është e lehtë të krahasohesh me më të mirët, dhe Shqipëria në futboll kurrë nuk ka pasur një lojtar të tillë, ndryshe nga basketbolli ku Agim Fagu mund të pretendonte, apo volejbolli ku ishte Ela Tase. Armado Broja i përket kësaj kategorie, të paktën për talentin që ka, dhe që e tregon herë pas here si meteorë me shkëlqim të fortë, por edhe të shkurtër. Goli i realizuar në “Arenën Pushkash” ishte i denjë për të qenë pretendent për Çmimin “Pushkash”. Aksioni ishte i mrekullueshëm individual, dhe mund të krahasohet me golat e mëdhenj të shënuar nga Lionel Mesi këtë vit në Kupën e Mbretit ndaj Bilbaos, nga Mohamed Salah pak ditë më parë për Liverpulin kundër Mançester Sitit, apo një rrjete të Erling Halandit sezonin e kaluar të Bundesligës. Nuk dihet nëse shqiptari do të emërohet për një garë të tillë, por ajo që bëri në Budapest e meriton plotësisht.

Sfidanti.al