Kosova e mban gojën të mbyllur për skandalin e UEFA-s me Euro 2024-ën!

Gjithçka është ende e freskët, por një përgjigje mund ta kishte marrë. UEFA shkaktoi një skandal të vërtetë duke e përfshirë Kosovën në Serbi në hartën e vendosur në videon prezantuese të Kampionatit Europian të vitit 2024. Edhe pse kanë kaluar shumë orë që nga botimi i videos, nuk ka një reagim nga Federata e Futbollit e Kosovës, po ashtu as nga autoritetet e Prishtinës, ndërsa kryeministri Albin Kurti ndodhet në Slloveni, në një samit ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor.

Reagimi ka ardhur nga ana e mediave me qendër në Prishtinë, të cilat e kanë quajtur të papranueshëm dhe një skandal veprimin e UEFA-s, si dhe kanë theksuar se kjo nuk është hera e parë që ka përpjekje për të mohuar pavarësinë e shtetit më të ri në Europës. Federata e Futbollit e Kosovës u pranua në UEFA dhe në FIFA qysh para pesë vjetësh, në 2016, dhe që nga ajo kohë ka qenë pjesëmarrëse në eleminatoret e Europianëve, të Kupës së Botës dhe në Ligën e Kombeve, duke arritur edhe suksese. Nuk është e qartë nëse kjo gjë, përfshirja e Kosovës në kufijtë e Serbisë, është thjesht një lajthitje e qeverisë europiane të futbollit të kryesuar nga presidenti slloven, Aleksandr Çeferin, apo mund të jetë diçka e qëllimshme.

Sfidanti.al