Luis Enrike, nga akullorja dhe dielli i Italisë tek qortimi për gazetarët

Për ndeshjen ndaj italianëve, idetë i ka të qartë, ndonëse përfundimit nuk i dihet. Për Luis Enriken, Spanja e tij duhet të mbajë topin dhe të ketë zotërimin e sfidës përballë kampionëve të Europës, për më tepër në fushën e tyre në “San Siro”. Në prani të rreth 37 000 spektatorëve, dhe me disa mungesa, trajneri spanjoll gjithsesi ka besim tek ekipi. “Kam skuadër me potencial të jashtëzakonshëm, – thotë ai, – shpresoj të drejtoj një ndeshje të madhe dhe të fitojmë”. Lidhur me Italinë, Luis Enrike thotë se i pëlqen dielli i vendit të Apenineve, i pëlqen akullorja, por edhe kombëtarja e Roberto Mançinit që luan shumë mirë futboll. Për gazetarët spanjollë, tekniku nga Asturia u tregua sërish i drejtpërdrejtë. “Nuk ju lexoj sepse di më shumë se ju për futbollin dhe nuk mendoj se ndonjë analizë e juaja do të më ndihmonte, – tha ai, – nuk di të them për kritikat sepse nuk i kam lexuar”.

Sfidanti.al