Kriza e Realit, Ançeloti rrezikon të humbasë sezonin ende pa filluar!

Kur “merengesit” pësuan dy gola nga Espanjoli, tifozët e kuptuan edhe më shumë se skuadra e tyre në mbrojtje është një kaos. Deri tani, Reali i Madridit ka mbajtur portën të paprekur vetëm në 3 ndeshje, njëra prej të cilave në Champions ndaj Interit, ndërsa dy humbjet njëra pas tjetrës rrezikojnë që ta shkatërrojnë këtë edicion ende pa nisur mirë. Pavarësisht 10 golave të Karim Benzemasë (9 prej të cilëve në kampionat), ekipi i trajnerit Karlo Ançeloti nuk ka mundur të jetë i qetë, edhe pse ndodhet në krye të renditjes bashkë me Atletikon e Madridit.

Mbrojtja e dikurshme nuk ekziston më, pasi Ramos e Varan janë larguar, Karvahal dëmtohet shpesh, ashtu si edhe Mendi, ndërsa Marselo nuk është më ai që ka qenë. Në mesfushë, Kasemiro e ka nisur ngadalë vitin, Kros sapo kthehet nga dëmtimi, ndërsa Modriç e ka ulur shpejtësinë e lojës me nja dy “marshe”. Në sulm, frika e madhe është nga ndonjë dëmtim i papritur i Benzemasë, sepse Reali nuk ka me kë t’i shënojë golat. Vinisius e Rodrigo janë të talentuar, por ende nuk mund të thuhet se janë garanci. Për më tepër, të tillë si Hazar e Bejl rrallë janë siç duhet fizikisht. Pozitive për Ançelotin është që tani ka filluar ndërprerja e kampionatit, por edhe kjo sjell rrezik sepse lojtarët mund të dëmtohen me kombëtaret e tyre.

Sfidanti.al