Prisni, prisni, do të thoshte dikush, jemi vetëm në javën e 7-të të kampionatit, dhe duhen 31 të tilla deri në përfundim. Jemi dakord, por një ekip që fiton në Bergamo ndaj kësaj Atalante dhe shënon 3 gola, tregon se vlen më shumë sesa normalja. Milani triumfoi 3-2 në “gojën e ujkut”, ndërsa kjo fushë është një lloj barometri. Dy vjet më parë, me humbjen e rëndë pësuar në Bergamo arriti fundin, ndërsa vjet pikërisht në mbyllje të sezonit, siguroi Championsin duke fituar.
Nuk duhet harruar se Atalanta mundi edhe veten këtë herë, pasi portieri Muso dhe Frojler dhuruan dy golat e parë shënuar nga Kalabria dhe Tonali. Leao realizoi të tretin dhe Milani ia uroi siç duhet ditëlinjen Zllatan Ibrahimoviç. Në fund, pati kohë për reagimin e nderit të Atalantës dhe për të kuptuar se kuqezinjtë duan edhe pak kohë që të luajnë 90 minuta. Zapata dhe Pashaliç shënuan për vendasit, por nuk pati më shumë kohë. Humbja me Atletikon në Champions në “San Siro” u la pas, ndërsa Napoli është vetëm 2 pikë larg, e Interi dy pikë më poshtë.
Sfidanti.al