Humbja e fundit kishte ndodhur në nëntor 2019, pra gati dy vjet më parë. Flasim për Bundesligën dhe Bajerni u detyrua të provonte më në fund shijen e disfatës duke mos i shpëtuar dot fundjavës së mallkuar për gjigandët e Europës. Nëse të shtunën u mund Barcelona, e diela solli “dajakun” për Paris SG, Realin e Madridit dhe tani bavarezët. Ajntrahti i Frankfurtit fitoi në fund (2-1) me një gol të shënuar nga sulmuesi serb, Filip Kostiç që mposhti Manuel Nojerin. Gjithsesi, u duk se Bajerni e nisi mirë ndeshjen kur shënoi me anë të Leon Goreckës në 29’. Gjithsesi, mbrojtësi austriak Martin Hintereger, e ndreqi gabimin që bëri në golin e vendasve duke barazuar vetëm 3 minuta më pas.
Të dyja ekipet patën raste në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit ishte ofensivë e Bajernit me portierin Trap që ndaloi Gnabrinë, Sanenë dhe Levandovskin. Bavarezët pësuan humbjen e parë të sezonit, ndërsa trajnerit Julian Nagelsman i dështoi rotacioni që deshi të provojë. Edhe pse Bajerni mbetet stërfavorit për të fituar titullin në Bundesligë, siç ka bërë në 9 sezonet e fundit, sërish për momentin ka ngjeshje në tabelë. Ekipi i Nagelsmanit kryeson me 16 pikë, por po aq ka edhe Leverkuseni, ndjekur nga Dortmundi e Frajburgu me nga 15, kurse Volfsburgu ka 13.
Sfidanti.al