Barazim spektakolar në “Anfild”, Klop e Guardiola nuk ndahet dot nga “përqafimi”

Pritej që të ishte e stuhishme dhe ashtu ndodhi. Nuk mund të jetë kurrë e mërzitshme një Liverpul-Mançester Siti, një sfidë e skuadrave të drejtuara nga Jurgen Klopi e Pep Guardiola. Edhe pse u deshën më shumë se 45 minuta që topi të përfundonte në rrjetë për herë të parë, sërish kjo nuk i hoqi asnjë emocion duelit klasik të viteve të fundit në Premier Ligën angleze. Përfundoi 2-2 në stadiumin “Anfild”, ku kishte rreth 43 000 tifozë, të rikthyer në këtë ndeshje pas një viti e gjysmë me vendasit që ishin vazhdimisht në epërsi, dhe me miqtë që nuk u dorëzuan. Siti i Guardiolës ishte skuadra më e mirë në pjesën e parë, por nuk shënoi dot. Pas pushimit, Sadio Mane shënoi për të kuqtë përpara se Fil Foden të barazonte për 10 minuta. Mohamed Salah pastaj shënoi të dytin për Liverpulin me një aksion personal, veçse Kevin De Brujni u përgjigj për të mos lejuar humbjen.

Kampionët në fuqi të Anglisë ishin disi më superiorë sesa ish-kampionët duke mbajtur topin 54 për qind, por gjithsesi barazimi u duk i drejtë. Ky rezultat ndihmoi Çelsin që të gjendej në krye të renditjes në përfundim të javës së 7-të duke pasur 16 pikë. Liverpuli ka 15 direkt pas Bluve të Londrës, ndërsa dy skuadrat e Mançesterit, Siti e Junajtidi e ndjekin këtë dyshe me nga 14 pikë. Duket se gara për titull këtë vit në Angli do të jetë shumë e fortë dhe pretendentë për momentin janë 8 skuadra.

Sfidanti.al