Zeniti bën historinë për qytetin e Pjetrit të Madh, Leninit dhe Putinit!

Kjo skuadër nuk ka qenë ndër superfuqitë e epokës sovjetike, madje edhe të viteve të para të Rusisë si shtet i pavarur pas 1991-it. Zeniti i Shën Peterburgut, ekipi i ngjyrave blu, të bardhë e të kaltër, hyri disi vonë në leksikonin e futbollit rus. Pasi u krijua përfundimisht në fund të viteve 1930-të e pasi fitoi Kupën e BRSS-së në 1944, u desh të kalonin dekada derisa Zeniti të fitonte titullin kampion në Bashkimin Sovjetik në 1984, ndërsa në vitet 90-të zbriti në kategorinë e dytë ruse. Gjithsesi, pasi klubi u ble nga Gazpromi fatet ndryshuan dhe titujt erdhën. Në 2007 ishte i pari, e pastaj dhe 6 të tjerë.

Statusi i skuadra më e mirë e Rusisë u konfirmua edhe nga fitorja e djeshme 4-0 ndaj Malmoes së Suedisë në fazën e grupeve në Champions. Klaudinjo, Daler Kuzjajev, Aleksej Sutormin dhe Uendel ishin autorët e golave për rusët që u paraqitën mirë edhe në ndeshjen e parë në fushën e Çelsit, duke humbur vetëm 1-2. Natyrisht, suksesi ndaj suedezëve nuk mund të krahasohet me triumfin 4-0 ndaj Bajernit në 2008 në gjysmëfinalen e Kupës UEFA. Zeniti e fitoi Kupën UEFA, 2-0 në finale ndaj Gllazgou Rejnxhërsit, por suksesi ndaj Malmoes është i veçantë sepse është më i thelli i arritur në Champions. Një histori që është bërë e pasur në 15 vitet e fundit për ekipin që përfaqëson qytetin e dytë më të rëndësishëm të Rusisë, themeluar nga Pjetri i Madh, që mori emrin e Leninit pas Revolucionit të Tetorit në 1917, dhe që është edhe qyteti i lindjes i presidentit të sotëm, Vladimir Putin.

Sfidanti.al