Benzema kalon Raulin, festë franceze në humbjen e Realit

Do të jetë tepër e vështirë, madje e pamundur për të, që të arrijë dy legjendat e para. Karim Benzema nuk mundet të kapë 121 golat e Mesit dhe 135 rrjetat e Ronaldos, por gjithsesi ai  shënoi emrin e tij në faqet e historisë së Ligës së Kampionëve. Sulmuesi francez i Realit, me golin ndaj Sherifit të Tiraspolit, arriti në 72 duke lënë pas të madhin sulmuesi madrilen, Raul Gonzales që ka mbetur në 71. Përpara tij, shumë pranë, është Robert Levandovski me 75 gola dhe nuk dihet nse Benzema do të mundet të konkurrojë me polakun për një vend në podium. Me moshë janë njësoj, nga 33 vjeç, por ylli i Bajernit ka hyrë më vonë në Champions dhe ka vetëm 97 ndeshje ndaj 132 të tij, pra shanset më të mira i ka bavarezi. Benzema vendosi një rekord tjetër, që shënoi në sezonin e 17-të radhazi të Ligës së Kampionëve, diçka që nuk e ka bërë askush deri më sot. Për fat të keq, ai doli nga fusha i mundur 2-1 pavarësisht se Reali pati 30 gjuajtje në portë ndaj shumë më pak të Sherifit. Një festë e vogël dhe disi e fshehtë në një atmosferë aspak festive.

Sfidanti.al