Kampionati i fushave që “mbillen në shtator”, dërgon derbin në Elbasan

Thuajse janë harruar kohët kur kanë luajtur përballë. Dinamo e Partizani vërtet kanë qenë superfuqi të futbollit shqiptar, por derbi ka 9 vjet që ka munguar, dhe sërish tifozët nuk do të munden ta ndjekin në kryeqytet. Pavarësisht se blutë u përpoqën që të siguronin duelin me të kuqtë në “Arenën Air Albania”, kërkesa e tyre nuk u pranua dhe sfida do të jetë në “Elbasan Arenë”. Një stadium ku kanë luajtur që të dyja skuadrat gjatë ndeshjeve të para të sezonit në Abisnet Superligë. Derbi është planifikuar për këtë të premte në orën 19:45 dhe në impiantin e Elbasanit nuk pritet të ketë aq shumë tifozë sa do të kishin qenë në Tiranë.

Stadiumet janë kthyer në problem të madh këtë edicion në kampionat, pasi disa prej tyre janë me punime për fushat, dhe po luhet kryesisht në Elbasan e Rrogozhinë. Dinamo nuk mund të luajë as në “Selman Stërmasi”, pasi aty i zhvillon ndeshjet e saj Tirana, dhe gjendja e tapetit nuk është nga më të mirat. Ndërkaq, Arenës kombëtare iu ndërrua tapeti në mesin e muajit gusht, dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit nuk duan të rrezikojnë, ndaj edhe do të presin deri në fillim të tetorit për të lenë barin që të rritet siç duhet.

Sfidanti.al