Dihej se do të vinte, dhe të gjithë e prisnin. Përtej kritikave, polemikave e nervave, nuk kishte asnjë dyshim se madhështia e Lionel Mesit nuk mund të mbetej në errësirë për një kohë të gjatë, dhe ajo u shfaq në mënyrë spektakolar. Superylli argjentinas shënoi golin e tij të parë për Paris SG, dhe të dytin në fitoren 2-0 ndaj Mançester Sitit në “Parkun e Princave”. Një sukses i vuajtur për francezët që u mbyllën në mbrojtje nga anglezët.
“Një fitore e rëndësishme ndaj një ekipi shumë të madh, – tha Mesi, – për ne kishte rëndësi fitorja, sidomos pas barazimit me Bryzhin. i lumtur për golin, por e dija se do të vinte. Kam pak kohë këtu, kam pak ndeshje, pak stërvitje. Besoj se do të përmirësohemi që të gjithë si skuadër”.
“Të çliruar, – ishte titulli i “L’Ekipit”, – përballë presingut të Sitit, PSG bëri një paraqitje kolektive. i shërbyer nga Mbape, Mesi realizoi golin e parë me fanelën e re”.
“Ishte një paraqitje mahnitëse, dhe një gol i shkëlqyer, – tha trajneri vendas, Poçetino, – Mesi është lojtari më i mirë i botës, padyshim. Jam i lumtur për të. Ne punuam fort që të gjithë për këtë fitore ndaj një ekipi të madh ndaj Mançester Siti. Ne jemi skuadër e bashkuar”.
Edhe Guardiola, trajneri i Sitit, ia dha meritën për fitoren e PSG-së pikërisht cilësisë së yjeve rivalë. “Zhvilluam një lojë të mirë, – tha Pepi, – të ngjashme me atë që bëmë ndaj Çelsit, edhe pse ishim më pak agresivë. Ne ishim fantastikë ndaj një ekipi me cilësi të jashtëzakonshëm, me lojtarë që shfrytëzojnë edhe pak rastet që kanë. Për fat të keq nuk shënuam gol”.
PSG shënoi i pari me anë të Gejesë që në nisje të ndeshjes, por për herë të parë luajti si skuadër duke përballuar një presion të jashtëzakonshëm. Siti pati shumë raste, por fati, mbrojtja e fortë vendase dhe portieri Donaruma e ndaluan.
Sfidanti.al