Edhe Atalanta ka lojtarë “të kaltër”, Pesina i jep kreun e grupit në Champions

Jang Bojsi tregoi në stadiumin “Atletët e Italisë” se jo më kot kishte marrë fitoren e madhe ndaj Mançester Junajtidit. Jo se zviceranët sulmuan, pasi ishte e vështirë për ta në fushën e Atalantës, veçse rezistuan mirë deri në 68’, kur vendasit ia dolën të shënonin, falë një aksioni të Zapatës. Një gol me oportunizëm i Mateo Pesinës i dha tri pikët skuadrës së trajnerit Gasperini, ndërsa Berat Gjimshiti ishte këtë herë titullar për bergamaskët në mbrojtjen me 3 lojtarë, në krah të Demiralit dhe Toloit. Atalanta pati në fushë mjaft lojtarë të mirë si Zapakostën, De Ronin, Frojlerin e Gosensin në mesfushë, dhe Malinovskin e Pesinën në mbështetje të sulmuesit të vetëm të deklaruar, Zapata. Pas pushimit Gasperini pati mundësi të hidhte edhe zëvendësuesit Luis Muriel, Mario Pashaliç, Tën Kopmeiners dhe Xhuzepe Pecela, që do të thotë se ekipi italian ka një organikë të rëndësishme që mund t’i lejojë të konkurrojë edhe në Serinë A, edhe në Champions. Atalanta është në pozita të mira në grupin e saj, pas barazimit 2-2 në fushën e Vijarrealit në ndeshjen e parë, ndërsa lajmi i vetëm i keq ishte dëmtimi i hershëm i Robin Gosensit

Sfidanti.al