Guardiola tall kritikat për PSG-në: Treshja Mesi-Nejmar-Mbape, e pandalshme!

Do t’i ketë kundërshtarë këtë të martë dhe nuk ka asnjë dyshim për forcën e tyre. Ndoshta bën diplomaci, Pep Guardiola, por gjithsesi fjalët e tij janë një “himn” për treshen e sulmit të Paris SG. “Nuk e di se çfarë duhet të bëjmë, – u përgjigj Pepi kur u pyet se çfarë duhet bërë për të ndalur treshen e madhe pariziene, – Mesi, Nejmari dhe Mbape kanë kaq shumë cilësi saqë unë nuk e di sesi mund t’ia dalim, është shumë e vështirë dhe ne duhet të mbrohemi fort”. Treshja e madhe e sulmit është kritikuar shumë, është cilësuar si barrë për ekulibrin e lojës së PSG-së, dhe janë përfolur konflikte mes yjeve. “Ata janë të jashtëzakonshëm, – vazhdoi Guardiola, – nga ana individuale janë shumë lart, mund të kombinojnë me njëri-tjetrin sipas dëshirës. Kurrë nuk e prisja që Mesi do të largohej nga Barcelona, por ja që gjithçka ndodhka në futboll”. Mançester Siti i Guardiolës do të luajë në fushën e Paris SG në fazën e grupeve në Champions.

Sfidanti.al