Starova e Batha në delir, por Cungu ankohet që nuk ka Mesin!

Disa kohë më parë ishte Partizani, që i dilte në ëndërr figura e gjyqtarit. Kaq shumë u ankuan të kuqtë nga arbitrat saqë tek tifozët e tyre u krijua bindja se skuadra e tyre nuk do të lejohej ta fitonte titullin. Madje, në Federatë thoshin se vetë presidenti i tyre Duka thoshte se “Partizani ka ekipin më të mirë, por do ta ketë të vështirë të shpallet kampion pasi sillet si humbës”.

Ndaj Vllaznisë ndodhi ndryshe dhe gjyqtari Enea Jorgji i vuri kapak transformimit duke treguar pikën e bardhë të penalltisë, atëherë kur shpresa kishte humbur. Idriz Batha shënoi golin e fitores, dhe pas ndeshjes ishte kaq në qejf saqë deklaroi se “përmbysja u realizua nga tifozët”.

Edhe Sulejman Starova nuk mbeti prapa, duke lëshuar batutën e tij se “m’u duk sikur sot e filluam kampionatin”. Natyrisht, e pati për faktin se Partizani luajti për herë të parë në një stadium plot me tifozë të vetët, edhe pse ishte “Selman Stërmasi”, jo “Qemal Stafa”, apo stadium i ri i klubit. Starova e quajti fitoren të merituar, arritur pasi Vllaznia u lodh në pjesën e dytë, dhe vlerësoi karakterin e të vetëve.

Gjithsesi, “uji i ftohtë” nuk mungoi dhe nuk mund të hidhej nga kush tjetër përveçse nga trajneri i Vllaznisë. Armando Cungu ishte tepër i hidhëruar, edhe pse pohoi privatisht se penalltia ishte e drejtë. “Jam shumë i zhgënjyer, se edhe ndaj Kukësit, edhe ndaj Partizanit, ka faktorë të tjerë që na bëjnë të humbim, – tha Cungu, – nuk na mjaftojnë problemet tona, por edhe menaxhimi i ndeshjes nuk është i barabartë, dhe në kushte të tilla ne nuk kemi çfarë bëjmë, nuk kemi as Mesin dhe as Ronaldon”. Këtë herë gjyqtari Enea Jorgji mërziti shkodranët.

Sfidanti.al