Lebron Xhejms, njeriu që po shkruan rekordet e basketbollit amerikan!

Ia arriti qëllimit në mundësinë e parë. Lebron Xhejms u bë më i riu basketbollist në historinë e NBA-së që arrin shifrën e 28 000 pikëve të shënuara në karrierë. Kampioni në fuqi, arriti shifrën 12 që i duhej në pjesën e dytë të ndeshjes që Klivlendi e fitoi në fushën e Nju Jorkut. Vërtet diçka e bukur të vendosësh rekord në një nga arenat më të mëdha të Shteteve të Bashkuara, si “Medison Skuer Gardeni”.

Lebron ka tani 28 020 pikë të realizuara, dhe mosha e tij është 32 vjeç e 36 ditë. Përpara tij, rekordmen ishte Kobi Brajant që ia doli në moshën 33 vjeç e 131 ditë. Gjithsesi, duhet theksuar se një superyll si Majkëll Xhordan u pengua në këtë arritje nga një dëmtim i rëndë që e la gati 1 vit pa luajtur, si dhe nga tërheqja e përkohësshme kur ishte vetëm 30 vjeç.

Duke u kthyer tek Xhejmsi, sezoni në vazhdim ishte një marshim i vërtetë, pasi kaloi radhazi Hakim Olaxhuonin, Oskar Robertsonin, Mozes Malounin dhe Tim Dankënin në listën e shënuesve më të mirë të të gjitha kohëve në NBA. Shakill O’Nill është rivali i radhës për t’u kapërcyer, dhe diferenca është diçka më shumë se 500 pikë. Gjithsesi, vëmendja kryesore e Lebronit është tek mbrojtja e titullit kampion fituar vjet.