Nuk ishte një ndeshje e mërzitshme. Aspak! Juventusi dhe Interi luajtën një derbi të madh të Italisë, veçse zikaltërit nuk mundën të “replikonin” fazën e parë. Fitues dolën kampionët, dhe hodhën një tjetër hap, madje të rëndësishëm, drejt mbrojtjes së titullit. Një gol i mrekullueshëm i Huan Kuadrados pikërisht në fund të pjesës së parë tregoi se përse Juventusi është ende skuadra më e fortë në Serinë A, ajo me më shumë përvojë, dhe besohet edhe me më shumë cilësi.
Të besuarit e trajnerit Alegri goditën edhe dy shtylla si dhe krijuan raste, veçse edhe skuadra e Stefano Piolit nuk mbeti prapa. Interi iu afrua disa herë avantazhit në pjesën e parë, veçse nuk pati forcën e duhur psikologjike, dhe formëzimin e duhur si skuadër për të luajtur në ato nivele për plot 90 minuta. Nëse tifozët e milanezëve duhet të kenë mbetur të zhgënjyer, sërish zikaltërit janë një projekt që po ecën shumë mirë, sidomos pas tronditjeve të mëdha në kohën e ish-trajnerit De Bur.
Interi u ndal pa shumë fitoreve radhazi, edhe pse goditja e parë u mor disa ditë të shkuara, në eleminimin nga Kupa e Italisë, disfatë që ua shkaktoi Lacio. Humbja në stadiumin “Juventus” e vështirësoi shumë arritjen e objektivit kryesor të sezonit, kualifikimin për në Ligën e Kampionëve, pasi Roma që mban vendin e tretë ka 5 pikë më shumë dhe do të luajë ende ndeshjen e javës së 23-të. Juventusi ndërkaq ka 6 pikë më shumë sesa Napoli duke pasur një ndeshje më pak të luajtur. Diferenca e kampionëve me Romën është 7 pikë.