Fiton Barça, por edhe Eibari, dy shembujt e kundërt në Spanjë!

Futbolli i njerëzve pa shumë para, mori edhe një goditje, por edhe një lajm të mirë. Të dyja ndodhën në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën ligë, atë të Spanjës. Superklubi Barcelona dhe përfaqësuesi më modest i kampionatit, Eibari, ishin ata që dolën fitimtarë nga fushat e lojës.

Triumfi i katalanasve ishte vërtet kënaqësi për ata që duan futbollin e bukur të Mesit apo Nejmarit, veçse ishte edhe një goditje për ata që shpresojnë që çdo qytet normal apo i vogël të mundë të matet me metropolet. Pavarësisht nga përgatitja shumë e mirë taktike dhe individuale, baskët e Atletikut të Bilbaos dolën të mundur nga stadiumi “Kamp Nou”.

Talenti i madh shkon në klubin e madh, talenti i vogël nuk shënon dot rastet e pastër në ekipin e vogël. Barcelona, gjithsesi, nuk e kishte potencialin të plotë në sfidën me baskët. Zhordi Alba, Suarez, Iniesta e Buskets ishin ndër ata që mungonin, por fitorja ishte 3-0. Reali është vetëm 1 pikë përpara, por me dy ndeshje më pak.

Lajmi i mirë, ndërkaq, për tifozët e skuadrave modeste, erdhi nga Eibari. Buxheti i këtyre baskëve të tjerë dihet, 20 apo 30 herë më i vogël se i Barçës apo Madridit, por sërish ata ia dolën 4-0 në stadiumin e një përfaqësuesi të rëndësishëm të Ligës spanjolle. Vendi i shtatë në renditje, siguruar me golat e Sergi Enrikut, Adrian Gonzalesit, Dani Garsi dhe sërish Sergi Enrikut, është njëlloj si titulli kampion apo finalja e Championsit.

Sfidanti.al