Kristiano, mos e gjete sërish Juventusin tek … Mançester Junajtidi!

Kush i harron kritikat e Ronaldos ndaj shokëve të skuadrës pas dështimeve të njëpasnjëshme në Champions. Kjo ishte historia e portugezit tek Juventusi, ku provoi eleminimet radhazi ndaj Ajaksit, Lionit dhe Portos, madje duke arritur deri aty sa të thoshte “e bëtë në brekë”. Ndoshta, një ndjenjë të tillë mund ta ketë provuar edhe këtë herë në Bernë të Zvicrës ku Mançester Junajtidi u mund 2-1 nga Jang Bojsi në ndeshjen e parë në grupe. CR7 e shënoi golin e tij, por Aron Uan-Bisaka u përjashtua me karton të kuq në pjesën e parë, dhe zviceranët dominuan më pas. Mumi Ngameleu barazoi 20 minuta para fundit, dhe në 95’ ishte gabimi në pasim i Xhesi Lingardit që i dhuroi Jang Bojsit shansin për golin e dytë. E papritur, apo jo? Nga shkëlqimi ndaj Njukasëllit të shtunën vjen testi i hidhur i së vërtetës, madje në një grup ku u mendua se Junajtidi do të bënte “shëtitje”. Tashmë, gjithçka duket më e frikshme me Vijarrealin dhe Atalantën si rivalët e tjerë, e nuk dihet nëse Ronaldo do ta ketë këtë vit kënaqësinë në këtë konkurrim për të dalë fitues, siç bënte deri në 2018.

Sfidanti.al