Kombëtarja tejkalon 100 milionë eurot si vlerë kartonësh, po i afrohemi Greqisë!

E kemi lënë pas shifrën jubilare. Edhe pse nuk është nga kombëtaret të futbollit më të shtrenjta të botës, sërish Shqipëria e ka kaluar kufirin e 100 milionë eurove. Sipas vlerësimeve të faqes së specializuar “transfermarkt”, ekipi kuqezi i trajnerit Edi Reja ka një vlerë të përgjithshme të kartonëve prej 102.2 milionë eurosh, pra duke qenë mbi 100-en. Jo rastësisht, lojtarët më të vlefshëm shqiptarë janë ata që luajnë në Serinë A të Italisë.

Më i shtrenjti është mbrojtësi Marash Kumbulla me karton 25 milionë euro, ndonëse ende nuk e ka gjetur vendin e titullarit tek Roma. Me moshën 20-vjeçare besohet ia del shpejt. Edhe i dyti më i shtrenjti i përket qendrës së mbrojtes, Berat Gjimshiti i Atalantës. Futbollisti 28-vjeçar nga Kosova është në kulmin e karrierës dhe vlen 22 milionë euro. Pas tyre vijnë dy lojtarë të tjerë të Serisë A, si Etrit Berisha me 14 milionë euro dhe Elseid Hysaj me 13 milionë.

Shumë futbollistë të kombëtares kanë vlerë modeste të kartonit si Cikalleshi, Manaj, Abrashi, Gjasula apo Roshi. Gjithsesi, ka disa që mund të rriten mjaft si Broja, që sot vlen 3 milionë euro, Bajrami, Uzuni apo Bare. Natyrisht, kombëtarja është larg më të shtrenjtave në botë, renditje që kryesohet me diferencë nga Anglia që vlen 1.8 miliardë euro, Franca 1.07 miliardë euro apo Italia kampione e Europës me 916 milionë euro. Po ashtu jemi prapa ekipeve të Ballkanit si Kroacia e Serbia që kushtojnë rreth 350 milionë euro, por jemi shumë pranë Greqisë, ish-kampione të Europës, që ka vlerë 103.3 milionë euro.

Sfidanti.al