Rezultatet turpëruese kanë ardhur radhazi për t’u cilësuar një rastësi. Që nga 0-3 me Romën në 2018, në 0-4 me Liverpulin në 2019, 2-8 ndaj Bajernit e 0-3 kundër Juventusit në 2020, për të arritur tek 0-3 po ndaj Bajernit në 2021. Këto janë turpërimet në 4 vjet të Barcelonës, e fundit këtë mbrëmje në “Kamp Nou”, dhe po flasim vetëm për Championsin. Me 3 gola diferencë në fushën e vet mund të humbasë vetëm një skuadër e papërgatitur, e krijuar dhe e mbajtur në këmbë rastësisht, kur gjendet përballë rivalëve të fortë. Në 5 ndeshjet tipike golaverazhi është 2-21, diçka që as ekipet më modeste në Itali, Spanjë apo Gjermani do ta pranonin.
Pa Lionel Mesin, por sidomos pa unitet, pa filozofi, Barcelona është një rrënojë, njëlloj si dikur Kartagjena, Roma e Lashtë apo Bizanti pas ditëve të tyre të fundit. Bavarezët ishin superiorë në organizim loje, me presing skuadre të fortë e pa të çara, që e mbylli kundërshtarin në zonën e rreptësisë. Sa larg nga Barça e treshes Mesi-Ksavi-Iniesta, por flasim atë të viteve 2008-2011 apo 2015. Tomas Myler shënoi me fat në pjesën e parë dhe Robert Levandovski shtoi dy golat e tij personalë pas pushimit. Ndoshta, katalanasit do të kualifikohen në një grup me Dinamon e Kievit dhe Benfikës (ukrainasit fituan 1-0 në shtëpi), por shpresa për këtë Champions as nuk mund të kenë. Së pari të lajnë borxhet e pastaj të krijojnë një ekip për të qenë.
Sfidanti.al