Juventus, Atalanta dhe … Lukaku, ja heronjtë e Championsit!

Ekip i madh është ai që di t’i buzëqeshë rrezikut e vështirësive dhe të kthehet gjallë nga buza e greminës. Juventusi e bëri të paktën këtë herë, me një fitore madhështore 3-0 në Suedi ndaj Malmoes. Pavarësisht dobësisë relative të kundërshtarit, të besuarit e trajnerit Maks Alegri treguan se kanë karakter dhe se e kuptojnë se çfarë kërkon fanela që mbajnë mbi shpinë. Golat u shënuan nga Aleks Sandro, Morata dhe Dibala me penallti, madje që në pjesën e parë, në një mbrëmje kur Juvja ishte pa Ronaldon, e me portugezin që u mund në Zvicër me Mançester Junajtidin.

Juventusi (4-4-2): Shezni, Danilo, De Ligt (Rugani), Bonuçi, Sandro, Kuadrado (Kulushevski), Lokateli, Betankur (Mekkeni), Rabio, Dibala (Ramsej), Morata (Kean). Tr. Alegri.

Heronjtë e tjerë të Championsit këtë mbrëmje ishin italianët e Atalantës, që kaluan me karakter një prove shumë të vështirë në fushën e Vijarrealit, ekipit fitues në fuqi të Ligës së Europës. Berat Gjimshiti ishte titullar dhe doli nga loja në 61’, ndërsa të besuarit e trajnerit Gasperini lanë pas fundjavën në Serinë A ku u mundën nga Venecia. Me më shumë përvojë, pas 2 sezoneve radhazi në Champions, bergamaskët barazuan dy herë, me Remo Frojlerin dhe Robin Gosensin, duke qenë thuajse të barabartë me spanjollët: 52-48 mbajtja e topit, 14-13 gjuajtjet, 7-3 kornet, 402-456 pasimet!

Kampionët e Europës ndërkaq patën nevojë për “zjarrfikësin” e tyre. Çelsi iu fal golit të Romelu Lukakut në 69’ për të siguruar fitoren në “Stemford Brixh” ndaj Zenitit të Shën Peterburgut. Rusët u mbajtën shumë fort dhe u dorëzuan vetëm 0-1. Ekipi i trajnerit Tuhel pati epërsi (62 për qind mbajtje topi, 11-6 gjuajtjet veçse 2-2 ato në portë, 815-412 pasimet).

Sfidanti.al