Fillimisht nuk dihej nëse do të luante apo jo, por ai iu imponohet trajnerëve sipas mënyrës së tij, duke qenë gati. Kristiano Ronaldo e bëri debutimin për së dyti herë tek Mançester Junajtidi, madje në mënyrën më të mirë, duke shënuar dy gola në fitoren 4-1 ndaj Njukasëll Junajtidit. Trajneri Ole Gunar Solskjer fillimisht kishte menduar për ta aktivizuar në Champions, veçse CR7 kërkoi me ngulm që të luante që këtë të shtunë, duke e bindur se ishte 100 për qind në formë.
Ai pati 6 gjuajtje drejt portës, nga të cilët 5 në zonën e rreptësisë, si dhe krijoi një rast të pastër, pati 62 prekje topi, rikuperoi 2 topa. Si një bomber i vërtetë, Ronaldo realizoi me të dyja gjuajtjet që pati në kuadrat, ndonëse njëri prej golave ishte krejt i lehtë. Man. Junajtidi ka 10 pikë me golaverazhin 11-3 dhe vetëm një barazim në katër javë në Premier Ligë.
Superylli portugez ka 676 gola me klubet dhe 787 gola gjithsej në karrierë, duke përfshirë edhe ato me kombëtaren e Portugalisë. Shumë shpejt do të jetë tek 800 golat e padyshim që do të kërkojë më shumë, pse jo 1 000 si askush tjetër në histori.
Sfidanti.al