Hamilton priste dhuratë nga Botasi, por mori veten në qafë

Pista e Monzës është e tillë që favorizon Mercedesin dhe kampioni i botës në fuqi deshi që të “vriste dy zogj me një gur”, së pari të fitonte pikë në sprintin e së shtunës, e pastaj të fitonte edhe garën e së dielës. Gjithçka do të bëhej e përsosur nëse Valteri Botasi do të dilte i dyti për ta lënë Maks Verstapenin në vend të tretë, dhe Ljuis Hamiltoni mund të arrinte nga -3 pikë që ishte deri të premten, në +9 pikë të dielën pasdite. Për momentin gjëra kanë shkuar në të kundërt. Valteri Botas ishte fituesi i sprintit për “pole positionin” në Çmimin e Madh të Italisë, ndërsa Verstapeni doli i dytë, me Hamiltonin që gaboi në nisje dhe përfundoi në vend të pestë. Botasi u dënua sepse ndërroi motorin dhe do të niset nga vendi i fundit. Verstapeni niset i pari, ndërsa Hamilton i katërti, pra të dielën pasdite holandezi mund ta ketë shtuar epërsinë në krye të renditjes së Botërorit të Formula 1. Që tani ai ka 5 pikë më shumë sesa anglezi.

Sfidanti.al