Barazim në “Betejën e Anfildit”, Liverpuli superior ndaj Çelsit milioner

Trajneri Jurgen Klop deklaronte këto ditë se klubi i tij do të shpenzonte vetëm paratë që kishte, sepse nuk kishte asnjë “bamirës” për ta ndihmuar. Ky është koncepti i një klubi që nuk mbështetet nga ndonjë sheik apo oligark, veçse Liverpuli tregoi edhe ndaj Çelsit se nuk është inferior ndaj askujt. Barazim 1-1 në “Anfild”, duke qenë në epërsi me lojë derisa pësoi gol nga Kai Haverc, por duke vazhduar ofensivën deri në fund.

Mohamed Salah, i shpallur lojtari i ndeshjes, barazoi me 11-metërsh pasi Risi Xhejms preku topin me dorë dhe u nxorr me karton të kuq. Ishte fundi i pjesës së parë dhe pas pushimit, të kuqtë patën sërish epërsi duke mbajtur topin 65 për qind e duke gjuajtur 23 herë drejt portës ndaj vetëm 6 të kundërshtarëve. Gjuajtjet në portë ishin 8-3, ndërsa kornet 12-3. Në përfundim barazim, që i lë të dy ekipet pa humbje këtë sezon të Premier Ligës. “Gjithçka ishte shumë e bukur me përjashtim të rezultatit, – tha Klopi, – në bëmë presing të shkëlqyer në pjesën e parë, pasi Çelsi është shumë i rrezikshëm. Ne sulmuam gjatë gjithë kohës pas pushimit, por ata u mbrojtën me 8 vetë. Duhej të kishim qenë pak më mirë, por është fillimi i sezonit ndaj le të mos ankohemi”.

Sfidanti.al