Iu bënë dy trofe këtë sezon, dhe dy tituj të këtij lloji. Teuta e Durrësit meritoi plotësisht të quhet skuadra më e mirë në Shqipëri për vitin 2021, pasi triumfoi edhe në finalen e Superkupës në “Elbasan Arena”. Të besuarit e trajnerit Edi Martini, pasi morën titullin kampion të Superligës në maj, u treguan tepër të fortë për Vllazninë aq sa e mundën thellësisht 3-0. Pas një pjese të parë thuajse të barabartë, ku gjithsesi, durrsakët ishin më të rrezikshëm, gjithçka ndryshoi në të dytën.
Nuk dihet se çfarë u tha Martini lojtarëve të tij, por fakti është që Teuta e rriti nivelin, duke pasur më shumë vendosmëri, më shumë efikasitet e duke mos lejuar thuajse asgjë në mbrojtje. Fitorja erdhi me golat e shënuar nga Aleksi, Gruda dhe Sebino Plaku, ndërsa shkodranët e dërguan një herë topin në rrjetë, por goli u anulua. Në minutën e 83-të, Çoba shënoi, dhe në atë moment ndodhi përdorimi i parë i VAR-it në Shqipëri. Njerëzit e teknologjisë e informuan gjyqtarin Kridens Meta se shkodrani ishte në pozicion jashtë loje. Teuta kështu merr trofeun e dytë të Superkupës në karrierë, pas atij që e fitoi vjet, po aq ka edhe Vllaznia, duke treguar se do të jetë sërish kandidate e fortë për titullin kampion edhe këtë sezon që vjen.
Sfidanti.al