Broja i tregon Sauthemptonit se çfarë është në gjendje të bëjë!

Nuk e morën për t’i bërë nder, përkundrazi. Armando Broja, edhe pse 19-vjeçar, u cilësua si përforcim i rëndësishëm për Sauthemptonin, edhe pse flitet për një ekip të Premier Ligës së Anglisë. Sulmuesi i kombëtares shkëlqeu në debutimin e tij me të mbiquajturit “Shenjtorët” duke shënuar dy gola në ndeshjen e Kupës së Ligës. i aktivizuar titullar, ai shënoi që në minutën e 9-të e pastaj në të 57-ët. Trajneri Ralf Hazenhutl nxitoi të siguronte kolegun e tij Tomas Tuhel, i cili ia kishte huazuar Brojën, se do ta aktivizonte shqiptarin dhe do t’i jepte minutat që i takonin, menjëherë sapo të ambientohej me skuadrën.

Shqetësimi lindi pasi Broja nuk luajti në ndeshjet e para të Premier Ligës ndaj Evertonit e Mançester Junajtidit. Tashmë, Broja e ka nisur rrugën e tij në Angli dhe padyshim që do të ketë raste plot për të treguar veten edhe në kampionatin më të fortë të botës. Forma e tij kënaq edhe trajnerin e kombëtares, Reja, dhe tifozët, dhe është në vazhdë të asaj që po bëjnë sulmuesit e tjerë, si Sokol Cikalleshi apo Rej Manaj, që kanë shënuar gola, ndonëse shqiptari i Barcelonës e ka bërë në ndeshjet përgatitore.

Sfidanti.al