Edhe pse problemet janë të shumta, sërish prodhim ka. Tirana po merr frytet e Akademisë së saj, njëra prej më masiveve në vend bashkë me atë të Vllaznisë, dhe ja ku do të arkëtojë edhe një sasi të rëndësishme financiare. Jurgen Çelhaka do të jetë lojtar i Legias së Varshavës në Poloni, duke u bërë shqiptari i dytë me kampionët polakë. Kontrata do të jetë 4-vjeçare me 10 000 euro rrogë në muaj, e cila do të plotësohet me shpërblime në bazë të arritjes së objektivave të ndryshme. Jurgen Çelhaka është 20 vjeç dhe luan si mesfushor, ndërsa ka fituar dalë nga dalë vendin e titullarët te rekordmenët e titujve në Shqipëri, duke u dalluar sidomos për disiplinën taktike, përgatitjen fizike dhe lojën e thjeshtë e kolektive.
Në fillim të këtij viti, Tirana transferoi tek Legia në Poloni futbollistin tjetër Ernest Muçi, njërin nga më të talentuarit e brezit të ri në Shqipëri. Muçi, pasi shkëlqeu me bardheblutë duke fituar edhe titullin kampion, nisi karrierën në Poloni, ku ka filluar të jetë i rëndësishëm për Legian, duke shënuar edhe gola këtë sezon. Tirana u përfol se mund të transferonte edhe mbrojtësin e krahut të majtë, Marsel Ismajlgeci. Lojtari 21-vjeçar u mendua se do të shkonte tek Ferencvaroshi në Hungari ku luan edhe Myrto Uzuni, por deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur.
Sfidanti.al