Juventusi, sulmi vlen 83 gola e 265 milionë euro!

Është kthyer shumë shpejt në favoriten në Serinë A. Flasim për “Zonjën e Vjetër” me emrin Juventus që e pret me optimizëm sezonin, ndonëse ka ende paqartësi siç është e ardhmja e Ronaldos apo e Dibalës. Nëse trajneri Alegri ka nevojë për një organizator, me sulmin i ka punët mirë, pasi sezonin e kaluar yjet e tij ofensivë shënuan 83 gola e shërbyen 40 asistë, ndërsa vlera e kartonit në total u arrin 265 milionë euro.

Kristiano Ronaldo mbetet “gryka kryesore e artilerisë” juventine pasi u shpall Këpuca e Artë e Serisë A vitin e kaluar me 29 gola. Në total, superylli portugez pati 36 gola e 4 asistë në 44 ndeshje duke qenë sërish në nivelet e tij të larta, të paktën përpara portës. Kartoni i tij vlen sot 45 milionë euro.

Alvaro Morata ka shënuar 20 gola në 44 ndeshje sezonin e kaluar duke shërbyer edhe 12 asiste, nga të cilët 11 rrjeta e 10 asiste i pati në 32 ndeshje në Serinë A. 45 milionë euro kartoni.  Federiko Kieza pritet me shumë kërshëri pas paraqitjes shumë të mirë në Euro 2020, duke ia rritur vlerën kartonit të tij në 70 milionë euro. Ai pati 15 gola e 11 asistë edicionin e kaluar për Juven në 46 ndeshje, ndonëse nuk luajti me minutazh të plotë.

Paulo Dibala (50 milionë euro kartoni) pritet të ketë një nivel tjetër sidomos nëse lë pas dëmtimet, dhe rinovon kontratën. Sulmuesi argjentinas shënoi vetëm 5 gola e shërbeu 3 asistë në 1 363 minuta, duke luajtur pak më shumë se gjysmën e ndeshjeve në kampionat. Dejan Kulushevski (40 milionë euro vlera e kartonit) dha ndihmën e tij me 7 gola e 7 asistë. Bernardeski (15 milionë euro) nuk arriti të kontribuonte shumë, duke pasur vetëm 3 asiste në 39 ndeshje.

Sfidanti.al