Është 71 vjeç, është mirë me shëndet, dhe është kandidat për të qenë sërish trajner futbolli. Arsen Venger bën pjesë në listën e Federatës së Futbollit të Zvicrës për detyrën e selektorit në kombëtare, pas largimit të Vladimir Petroviçit që u kthye në karrierën me ekipet e klubeve. Venger ka drejtuar Arsenalin për 22 vjet dhe u largua në 2018, por ka një shans të kthehet ndërsa në 22 tetor mbush 72 vjeç.
Gjithsesi, nuk dihet nëse Venger do të arrijë dot rekordin e trajnerit të Shqipërisë, Edi Reja, që ndodhet në detyrë ndërsa është 75 vjeç. Reja mbush 76 në 10 tetor të këtij viti. Natyrisht, Reja nuk është veterani i vjetër, por është më i moshuari.
Zhezualdo Ferreira është një nga “plakushët” e mëdhenj të topit, duke qenë tani 75 vjeç, ndërsa deri në maj të këtij viti ishte në stol, së fundmi me Sportingun e Lisbonës. Oskar Tabarez është 74 vjeç dhe vazhdon të drejtojë Uruguajin, diçka që e ka bërë për 15 vjet me radhë që nga viti 2006. Dushan Bajeviç është 72 vjeç dhe është trajner i Bosnjë-Hercegovinës, Dik Advokat është 73 vjeç dhe u bë trajneri më i vjetër në historinë e Superligës së Holandës, ndërsa drejtoi Fejënordin deri në qershor.
Roi Hoxhson është 73 vjeç dhe është trajneri më i vjetër që ka drejtuar në Premier Ligën angleze deri në maj të këtij viti me Kristël Palasin. Ndoshta mund të kthehet sërish në stol, siç ka deklaruar vetë. Një legjendë e vjetër është edhe rusi Juri Semin, që ka drejtuar Lokomotivën e Moskës për 23 vjet, deri verën e kaluar në moshën 73-vjeçare.
Sfidanti.al