A do ta realizojë dot Luka Donçiç misionin e artë me Slloveninë në Olimpiadë?!

Nuk dihet nëse një njeri i vetëm mund t’ia dalë. Luka Donçiç ka marrë përsipër një mision që duket thuajse i pamundur, por që ai vetë beson se mund ta realizojë. Ylli i madh i basketbollit të NBA-së, udhëhoqi Slloveninë në fitoren e dytë radhazi në turneun olimpik, këtë herë 116-81 ndaj Japonisë vendase, ndërsa ëndrra e madhe është medalja e artë. Pavarësisht lodhjes së madhe në sfidën ndaj Argjentinës, ku shënoi 48 pikë, Donçiç sërish shkëlqeu duke realizuar 25 pikë, kapur 7 topa në tabela e shërbyer 7 asistë. Ai detyroi rivalët që të kryenin faulla ndaj tij, duke depërtuar me forcë drejt koshit. Në minutat e fundit, vendosi ta hiqte këmbën nga gazi, për të ruajtur energji për më vonë, ndaj nuk e synoi dot një tripëll dabëll, gjë që në Lojrat Olimpike e kanë bërë vetëm Sergej Bjellov i Bashkimit Sovjetik, dhe Lebron Xhejms i Shteteve të Bashkuara.

Sfidanti.al