Tokio 2020, Kina kryeson tabelën e medaljeve pas ditës së dytë!

Kombi i madh aziatik mbetet fuqia kryesore e konkurrimeve të para olimpike, ndonëse skuadra amerikane reagoi pas dështimit të ditës së hapjes. Kina ka numrin më të madh të medaljeve në Tokio 2020, pas dy ditëve të para, me 6 të arta, 1 argjend dhe 4 bronzi. Japonia e ndjek nga afër me 5 të arta dhe 1 argjend, ndërsa SHBA ka 4 medalje ari, dy argjenti dhe 4 bronzi. Kjo do të thotë se Kina ka 11 medalje gjithsej ndaj 10 të amerikanëve dhe 6 të japonezëve. Deri tani ka pasur shpërndarje të madhe të medaljeve, dhe shumë mirë janë paraqitur koreanojugorët, Rusia (që garon si ekip i Komitetit Olimpik), Italia, Australia apo Franca, ndonëse edhe Hungaria e Tunizia janë për t’u duartrokitur. Në përfundim të Lojrave pritet që SHBA të fitojë numrin më të madh të medaljeve, ndërsa Kina mund të dalë e dyta. Në Rio de Zhaneiro, SHBA fitoi 121 medalje, nga të cilat 46 të arta, Britania e Madhe pati 67 medalje (27 ari) dhe Kina 70 medalje (26 ari).

Sfidanti.al