Një transformim kaq i madh i ka bërë të mendohen. Drejtuesit e Barcelonës me gjasë mund të ndryshojnë planet për Rej Manajn, ndërsa sulmuesi shqiptar shënoi një tjetër gol në fazën përgatitore. Rrjeta u shënua në miqësoren ndaj Gironës fituar me shifrat 3-1, ndërsa trajneri Ronald Kuman ka biseduar me klubin për të sqaruar situatën e 24-vjeçarit. Mësohet se tekniku holandez po konsideron tri mundësi. Manaj mund të jepet hua në një ekip tjetër për t’i siguruar më shumë minuta në fushë, dhe mediat katalanase njoftojnë se ekzistojnë shanset që të shkojë tek Sasuolo në Serinë A italiane.
Alternativa e dytë është që sulmuesi kuqezi të mbahet në klub, të jetë më shumë në ekipin B, por me trajnerin Kuman që mund ta thërrasë në skuadrën e parë sa më shpesh. Më së fundi, Manaj edhe mund të largohet nëse për të vjen një ofertë e mirë, dhe gjasat janë që destinacioni të jetë Famalikao në Superligën e Portugalisë. Ish-lojtari i Interit të Milanos ka realizuar 4 herë gjatë fazës përgatitore, duke qenë shënuesi më i mirë i Barcelonës këtë verë, dhe është pikërisht ky nivel që ka bërë përshtypje tek trajneri dhe drejtuesit, duke i detyruar të ndryshojnë konsideratën për djaloshin nga Lushnja.
Sfidanti.al