Goli në javën e parë, Ernest Muçi ndihet i rëndësishëm tek Legia e Varshavës!

Sezonin e nisi me ëndrra të mëdha. Ernest Muçi sapo ka bërë 5 muaj tek Legia e Varshavës dhe shpresat i ka të mëdha që më në fund të bëhet i rëndësishëm. Pasi u mbajt në stol në ndeshjen e mesjavës në Champions ndaj Florës së Talinit të Estonisë, sulmuesi 21-vjeçar shqiptar fitoi besimin e trajnerit për të qenë titullar në startin e kampionatit. Nuk iu desh shumë për ta bindur se kishte bërë zgjedhjen e duhur. Ish-lojtari i Tiranës shënoi një gol të shkëlqyer, që në fund rezultoi të ishte ai i fitores në sfidën e vështirë ndaj Vislës së Polckut. Futbollisti i talentuar kuqezi realizoi kështu rrjetën e parë në Ekstraklasën e Polonisë.

Trajneri Çeslav Mihnieviç mbeti i habitur, por jo për një kohë të gjatë. “Kur Muçi shënoi golin hoqa syzet dhe fërkova sytë nga çudia, – tha ai, – në të vërtetë, ai shënon gola të tillë në stërvitje dhe unë jam i kënaqur që Polonia pa një gol të tillë. Ernesti punon shumë për të bërë paraqitje sa më të mira. Sot, ai ndihet i rëndësishëm në ekip”. Legia e Varshavës është kampione në fuqi e Polonisë dhe Muçi shpreson që të japë kontribut më shumë sesa sezonin e kaluar, kur u aktivizua pak, dhe fakti që u aktivizua titullar në javën e parë të Superligës flet shumë. Me gjasë, ai mund ta prekë sërish trofeun e titullit ashtu si majin e kaluar, por tashmë si një lojtar shumë më i rëndësishëm.

Sfidanti.al