“Lojërat le të fillojnë”, ceremoni madhështore në Tokio për më pak se … 1000 vetë!

Kaq ishin të pranishëm në Stadiumin Olimpik të kryeqytetit të Japonisë, që të gjithë “dinjitarë”, pra zyrtarë të llojeve dhe rangjeve të ndryshme, ndërsa u krye ceremonia e hapjes se Lojrave Olimpike. Pas shumë polemikave dhe pas një viti shtyrjeje, më në fund Olimpiada në Tokio nisi, edhe pse disa nga garat sportive kishin filluar përpara sesa Perandori Naruhito të bënte gjestin e tij. “Të bashkuar nga emocioni” është motoja e ngjarjes më të madhe sportive që mbahet një herë nga katër vjet, por për të cilën këtë herë u desh të pritej 5 vjet.

Në pistën e atletikës së stadiumit parakaluan 206 ekipe të vendeve pjesëmarrëse, me Shqipërinë që parakaloi e 11-ta, me emrin që japonezët ia thonë “Arubania”. Ndërsa flamurin e mbajti atletja Luiza Gega. Delegacioni i parë ishte ai i Greqisë, si vendi i lojrave të lashta olimpike, pastaj delegacioni i skuadrës olimpike të refugjatëve, ndërsa në vend të tretë ishte delegacioni i Rusisë, por që garon nën flamurin olimpik për shkak të dënimit nga dopingu. Delegacionin më të madh e ka SHBA me 613 sportistë, më pas Japonia vendase me 552, Australia ka 478, Gjermania 425 dhe Kina 406. Shqipëria ka 9 sportistë, më pak se Kosova që ka 11. Sportistët shqiptarë janë Luiza Gega e Izmir Smajlaj në atletikë, Matvej Petrov në gjimnastikë, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj në peshëngritje, Kledi Kadiu e Nikol Merizaj në not, Indrit Çullhaj në xhudo dhe Manuela Delilaj në qitje.

Është hera e parë që Lojrat Olimpike Verore shtyhen, por nuk anulohen. Tokio 2020 nuk pati fatin e keq të Olimpiadave të planifikuara për t’u mbajtur gjatë viteve të Luftës së Parë e të Dytë Botërore. Gjithsesi, lojrat japoneze kanë fatkeqësinë që do të jenë me dyer të mbyllura, pra pa spektatorë. Do të mbahen 339 aktivitete sportive, për të cilat do të ndahen medalje, në 33 sporte dhe 50 disiplina të ndryshme. Numri i atletëve pjesëmarrës llogaritet në 11 326, por pritet të ketë “firo” për shkak të Kovidit. Këtë herë do të bëjnë debutimin olimpik dy sporte, basketbolli 3×3 dhe garat e lira me biçikleta BMX.

Sfidanti.al