Vetëm 13 vjeçe, notarja kineze Yu Zidi po shkruan një histori të jashtëzakonshme në pishinat ndërkombëtare. Në Lojërat Aziatike në Nagoya të Japonisë, ajo triumfoi në 200 metra katërnotim me kohën 2:06.10, rezultat që e rendit të dytën më të shpejtë në histori në këtë disiplinë. Rekordi botëror mbahet nga kanadezja Summer McIntosh me 2:05.70, ndaj Zidi mbeti vetëm katër të dhjetat e sekondës larg rekordit absolut.
Rezultati i saj në Nagoya ishte gjithashtu rekord botëror për të rinj, duke i marrë Zidi këtë rekord McIntosh. Emri i talentes kineze u bë i njohur që në vitin 2024, kur në moshën 11-vjeçare iu afrua kualifikimit për Lojërat Olimpike të Parisit. Një vit më vonë, ajo u përfshi në ekipin kinez për Botërorin e Singaporit, ku fitoi medaljen e parë të madhe ndërkombëtare si pjesë e stafetës 4×200 metra stil i lirë. Në garat individuale, Zidi u rendit e katërta në 200 dhe 400 metra katërnotim, si dhe në 200 metra flutur. Me këtë paraqitje, ajo u bë notarja më e re në histori që arrin një finale të Kampionatit Botëror. Megjithatë, rekordi për notaren më të re që ka vendosur një rekord botëror absolut i përket Karen Muir. Afrikano-jugorja e vendosi rekordin në 110 jardë shpinë në vitin 1965, në moshën 12 vjeç, 10 muaj e 25 ditë. Pavarësisht kësaj, Yu Zidi po konfirmon se është një prej talenteve më të spikatura të brezit të ri të notit botëror.

