Argjentina bën një përbetim për t’i dhënë Mesit edhe Kupën e Botës!

Më në fund, ekipi kombëtar bardhekaltër i dha fund mallkimit të tij, dhe tersit të kapitenit duke fituar Kupën e Amerikës pas plot 28 vjetësh. Festa ishte në stadiumin “Marakana” të Rio de Zhaneiros në Brazil, në finalen pikërisht kundër brazilianëve, ndërsa brezi i Mesit, Emiliano Martinezit apo Lautaro Martinezit bënë atë që bëri në 1993 brezi i Batistutës e Simeones. Tashmë, “gauçosit” duan të ndihmojnë Mesin që të fitojë titullin e dytë me kombëtaren, atë më të rëndësishmin, Kupën e Botës, pasi fitoi të parin. Portieri Emiliano Martinez, heroi në gjysmëfinale ndaj Kolumbisë duke pritur 3 penallti, premton se kombëtarja do të bëjë gjithçka që kjo të realizohet vitin e ardhshëm në Katar. Argjentina ende nuk cilësohet si favorite për Botërorin, por fitorja në Kupën e Amerikës ia ka rritur kuotat, bashkë me Brazilin, Italinë, Anglinë, Spanjën, Belgjikën, Francën apo edhe Gjermaninë.

Sfidanti.al