Yjet e NBA-së më në fund e arritën fitoren, mundën Argjentinën!

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që ekipi kombëtar amerikan i basketbollit për meshkuj të kishte humbur 3 ndeshje radhazi, që nga koha kur për të mund të luanin yjet e NBA-së. Kjo mund të kishte ndodhur në turneun përgatitor para Olimpiadës së Tokios, pasi SHBA u mund nga Nigeria dhe Australia. Gjithsesi, amerikanët reaguan dhe fituan ndaj një rivali të fortë si Argjentina me shifrat 108-80. Natyrisht, kanë ikur kohët kur “Skuadra Ëndërr” (Dream Team) fitonte me 30-40 pikë diferencë ndaj çdo kundërshtari, madje pa u lodhur shumë.

Kevin Duranti dhe Bredli Bil shënuan nga 17 pikë, Zak Lavin shtoi 15, ndërsa Damien Lilard pati 13 dhe Bam Adebajo e mbylli me 12 pikë, 5 asistë dhe 5 topa në tabela. “Ishte më mirë se më parë, – tha trajneri i SHBA-së, legjendari Greg Popoviç, – ne po përmirësohemi ditë pas dite. Unë mbetem me shpresë”. Amerikanët luajtën vetëm me 8 basketbollistë sepse Xhejzë Tatëm ka dëmtim në gju, ndërsa Midëlton, Holidei dhe Devin Buker do të bashkohen me ekipin pas përfundimit të finaleve të plej ofit në NBA.

Sfidanti.al