Gjermania revoltohet që nuk mund të stërvitet në “Uembli”

Italia sikur e mori urtë e butë dhe nuk bëri naze, por me Joakim Lëvin po ndodh ndryshe. Trajneri i Gjermanisë është shumë i zemëruar që skuadra e tij nuk do të ketë mundësi të stërvitet në stadiumin “Uembli” mbrëmjen e së hënës, një ditë para ndeshjes me Anglinë. Federatës Gjermane iu komunikua se për shkak të reshjeve të dendura në Londër, fusha e stadiumit është dëmtuar disi, dhe duhet të ruhet për të martën kur të jetë sfida e raundit të dytë të Europianit. Ky ishte vendimi në radhë të parë i UEFA-s, por Lëvi nuk e ka pritur aspak mirë. E përditshmja “Bild” shkruan se trajneri i “pancerëve” është i zemëruar dhe i shqetësuar sepse Gjermania do të duhet të stërvitet në Hercogenrarauh dhe të fluturojë pastaj për në Londër, që do të thotë ndryshim i rëndësishëm i programit që ka të bëjë me shlodhjen e lojtarëve. “Bild” e titullon “skandal”, ndërsa komenton se “ky është ndikim direkt në konkurrim në favor të Anglisë”.

Sfidanti.al