Prag Belgjikë-Portugali, kush do ta fitojë duelin Ronaldo-Lukaku?!

Është një nga dy çiftet më të fortë të këtij raundi. Vetëm një Angli-Gjermani mund të ketë më shumë famë sesa Belgjikë-Portugali që luhet sonte në 21:00 në Sevilje për Euro 2020. Dueli është për një vend në çerekfinale dhe jepen edhe si sfida mes dy yjeve, Kristiano Ronaldos e Romelu Lukakut. CR7 ka thyer edhe disa rekorde në këtë Europian dhe kryeson renditjen e Këpucës së Artë me 5 gola, ndërsa Lukaku ka 3.

Gjithsesi, përballja është mes dy ekipeve. Belgjika është numri 1 i renditjes botërore të FIFA-s, por Portugalia është kampione e Europës në fuqi. Belgët kanë 9 fitore dhe vetëm 1 humbje në 10 ndeshjet e fundit në turnetë e mëdhenj, ndërsa nuk kanë shënuar vetëm në 2 nga 58 ndeshjet e fundit. Portugalia nuk humb ndaj belgëve që nga viti 1989, prej 5 ndeshjesh radhazi, ndërsa Ronaldo ka shënuar 3 gola ndaj Belgjikës në 3 ndeshje ndaj saj, ndërsa Lukaku vetëm një.

Belgët jepen favoritë për fitoren me kuotën 2.41, ndërsa portugezët kanë koeficientin 3.35, madje barazimi jepet më i mundshëm. Skuadra e trajnerit Roberto Martinez nuk ka probleme dëmtimesh apo  pezullimesh, me Lukakun, De Brujnin, Mertensin e Hazarin në fushë. “Luzitanët” gjithashtu nuk kanë shqetësime, vetëm Nelson Semedo është në dyshim, ndërsa Danilo Pereira duhet të jetë gati. Martinezi ngacmohet nëse do ta ndërronte De Brujnen me Ronaldon.

“Jo, – tha tekniku i belgëve, – sepse kam 5 vjet që punoj me De Brujnen, dhe padyshim kam një lidhje shpirtërore me të. De Brujni është organizatori më i mirë në botë. Sa për ndeshjen, nuk bëhet parashikim dhe nuk ka favoritë, por ne kemi besim në veten tonë”.

Trajneri i portugezëve, Fernando Santos, është më i drejtpërdrejtë. “Ne e dimë se çfarë është në gjendje të bëjë Belgjika, – tha ai, – gjithsesi, rivali ynë ka pika të dobëta, që ne do t’i shfrytëzojmë. Jam i bindur që mund të fitojmë”.

Mediat belge flasin për testin e parë të madh të “djajve të kuq” në këtë Europian deri tani, ndërsa nxisin ekipin e tyre që ta tregojë se përse është numri 1 në renditjen botërore të FIFA-s.

“Kemi besim absolut tek ju, – shkruan “O Zhogo” në Portugali, – trajneri Fernando Santos nuk ka hezitim përpara finales së parë të turneut!”

“A Bola” shkruan duke vendosur një pjatë me biskota në kopertinë: Kush mendon në mënyrë zvogëluese, mendon për kundërshtarin! Belgët për darkë!

Sfidanti.al