Feniksi vetëm një fitore larg finales së madhe të NBA-së!

Nuk ishte më e bukura e ndeshjeve, por suksesi cilësohet i madh. Feniks Sans është shumë pranë rikthimit në finalen e basketbollit amerikan pas fitores në fushën e Klipersave. Shifrat 80-84 mund të jenë të denja për Euroligën në Europë, ku ka shumë taktikë dhe luhen 40 minuta, jo për NBA-në ku ndeshjet zgjasin 48 minuta, por në “Stejpëll Sentër” vlente vetëm një gjë, rezultati. Feniksi kryeson 3-1 me fitore dhe është vetëm një sukses larg fitores së titullit në Konferencës Perëndimore, dhe finales së madhe, në të cilën mungon prej 28 vjetësh.

Miqtë fituan të udhëhequr nga dyshja Devin Buker-Deandre Ejton, ndërsa vendasit vuajtën sërish mungesën e kapitenit Kauai Leonard. Me gjasë, dëmtimi i yllit kryesor mund ta dënojë fatalisht ekipin nga Kalifornia që njihet si dështaku i përhershëm i NBA-së, dhe që kishte një rast të madh këtë sezon për t’ia hequr vetes këë epitet. Buker shënoi 25 pikë, ndërsa Ejton realizoi 19, por sidomos kapi 22 topa në tabela, duke u dalluar edhe me 3 asistë, 1 vjedhje topi e 4 bllokime gjuajtjesh. Pol Xhorxh realizoi 23 pikë për Klipersat, duke kapur edhe 16 topa në tabela si dhe duke shërbyer 6 asistë, por mungesa e Leonardit nuk mund të zhbëhej.

Xhekson me 20 pikë, Zubac me 13 e Man me 12 ishin protagonistët e tjer në humbje. Feniksi ka dalë dy herë më parë kampion i Konferencës, por i ka humbur të dyja finalet, për herë të fundit në 1993 ndaj Çikagos së Majkëll Xhordanit.

Sfidanti.al