Rekordmeni zviceran Shaqiri: Ne bëmë atë që duhej bërë!

Shpresat janë për të vazhduar më tej, ndërsa ai vetë arriti një sukses që nuk kishte ndodhur kurrë me kombëtaren e vendit të tij. Shqiptari i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka 7 gola në fazat finale të Europianëve dhe Botërorëve, duke kaluar Jozef Hygin që shënoi 6 gola në Kupën e Botës 1954. Dy golat e realizuar ndaj Turqisë bënë që Zvicra të ketë shpresë për të shkuar në turin e dytë në Euro 2020, ndonëse duhet të presë përfundimin e ndeshjeve në grupet e tjerë, duke qenë e treta në grupin A.

“Ne bëmë atë që duhej të bënim ndaj një skuadre të mirë, – tha Shaqiri pas fitores 3-1 me Turqinë, – tani duhet të presim për të parë çdo të ndodhë. Ne duhej të fitonim dhe ia dolëm duke luajtur mirë futboll. Mund të shënonim edhe më shumë gola, por rëndësi ka fitorja. Goli i parë ishte sidomos i mirë sepse e shënova me këmbën më të dobët, të djathtën”. Shaqiri është ende pjesë e Liverpulit, por pritet të largohet ndërsa kartoni i tij vlerësohet 12 milionë euro.

Sfidanti.al