Prag Francë-Gjermani, Europiani pret spektakël sot në “Alianc Arena” të Mynihut!

Kampionët e botës meritojnë qendrën e vëmendjes. Futbollistët e Francës nën drejtimin e trajnerit Didie Deshamp udhëtuan me besim nga baza e tyre në Klerfonten drejt Mynihut, ku i pret Gjermania. Sfida më e madhe e fazës së grupeve në Euro 2020 do të luhet pikërisht në “Alianc Arena” në 21:00 dhe cilësohet finale e vërtetë. Franca është favorite, por siç i ndodh ndonjëherë e ka një konflikt në familje. Mbape dhe Zhiru janë majë më majë, dhe kjo mund të ndikojë. Të paktën, Deshamp nuk ka shqetësime për mungesat, ndërsa cilësia është aq e madhe, saqë e bën të vështirë zgjedhjen e formacionit. Për fat, Karim Benzema jepet i gatshëm, ndonëse Zuma është në dyshim.

“Gjermania ka lojtarë me cilësi të lartë në çdo pozicion, madje ata mund të luajnë në pozicione të ndryshme, – tha Deshampi, – ata kanë Vernerin, Sanenë. Ne duhet t’i ndalojmë ata nëse duam që të fitojmë. Ne jemi në formë të mirë, dhe nuk ka asnjë problem mes lojtarëve. Ndeshja e parë është e rëndësishme, por jo vendimtare. Gjithsesi, është një duel fantastik, për cilësinë dhe emrin e dy ekipeve”.

Po Gjermania? Shumë e tronditur, me tifozët që nuk mund të harrojnë humbjen e turpshme 0-6 në Spanjë në Ligën e Europës. Trajneri Joakim Lëv i ka bërë gati valixhet e do të largohet pas Europianit, por shpreson ta bëjë me titull si në Kupën e Botës në 2014. Gjermanët kanë pak probleme, si mungesat e mundshme të Hofmanit dhe Goreckës. Timo Verner ndoshta do të lihet në stol, dhe Lëv të luajë pa një qendërsulmues të vërtetë.

“Ne nuk e pranojmë epitetin e skuadrës më pak të favorizuar, – deklaroi trajneri, – ne jemi kritikuar këto kohë, por lojtarët mezi po presin që të tregojnë se janë shumë të mirë, dhe se mund të arrijnë suksesin. Ata janë gati për duel me Francën. Fryma në ekip është shumë e mirë, lojtarët kanë uri për fitore dhe kjo jep besim dhe më lejon që ta bëj gjumin të qetë”.

Dy skuadrat kanë traditë të jashtëzakonshme në futbollin kontinental e botëror, me nga 3 Europianë fituar nga secila. Historinë e gjatë të dueleve e simbolizon sidomos gjysmëfinalja e Kupës së Botës në 1982 në Spanjë, ku Gjermania fitoi pas penalltive, ndërsa duelin e vetëm në fazat finale të Europianëve e ka fituar Franca 5 vjet më parë në Paris. Më pas erdhi titulli botëror për “gjelat” dhe këto janë disa nga arsyet që francezët janë favoritë për fitore, edhe pse luhet në Mynih.

Sfidanti.al