Teuta, Vllaznia, Partizani e Laçi, short pozitiv në kupat e Europës!

Gëzimi i titullit kaloi, ndërsa u mësua rivali i radhës. Teuta e Durrësit do të debutojë në Champions dhe shorti i turit të parë eleminator hedhur në Nion të Zvicrës e vendosi përballë Sherifit të Tiraspolit të Moldavisë, me sfidën e parë në Shqipëri. Kampionët e Shqipërisë luajnë ndaj një rivali më të fortë në letër, por gjithsesi të besuarit e trajnerit Edi Martini kanë shanse për sukses, me ndeshjet që do të luhen në 6-7 dhe 13-14 korrik. Sherifi është ndeshur edhe më parë me skuadra shqiptare, dhe është kualifikuar ndonëse me fat ndaj Kukësit dhe ndaj Partizanit.

Po në Champions, luan Shkëndija e Tetovës që do të ndeshet me kampionen e Sllovenisë, Mura, ndërsa trajneri Ernest Gjoka e cilësoi shortin të vështirë, veçse me objektiv kualifikimin. Në Champions, Prishtina luan në turin paraeleminator ndaj Folgores së San Marinos.

Në Ligën e Konferencave, ndërkaq, do të marrin pjesë 3 skuadra shqiptare, që të gjitha në turin e parë eleminator. Vllaznia, që humbi titullin për golaverazh, rikthehet në Europë pas 10 vjetësh, ndërsa u vendos përballë Shiroki Brijegut të Bosnjë-Hercegovinës, që doli në vendin e katërt sezonin e kaluar, 8 pikë pas Boracit kampion. Ndeshja e parë luhet në Bosnjë-Hercegovinë.

Partizani do ta nisë me ekipin e Moldavisë, Sfintul George të Suruçenit. Kryeqytetasit luajnë ndeshjen e parë jashtë fushe. Sfintul George është fitues i Kupës së Moldavisë pikërisht në finalen ndaj Sherifit pas gjuajtjes së penalltive, ndërsa në kampionat doli në vend të katërt.

Laçi, ndërkaq, pret në fushën e tij Podgoricën e Malit të Zi. Skuadra malazeze u kualifikua pasi doli në vendin e katërt në Ligën e Parë malazeze. Nga skuadrat e tjera shqiptare në Ligën e Konferencave, Deçiçi i Tuzit i Malit të Zi do të luajë me Dritën e Gjilanit të Kosovës. Finalja e e Ligës së Konferencave luhet në 25 maj në “Arenën Air Albania” në Tiranë.

Champions, turi i parë eleminator

Teuta-Sherif Tiraspol të Moldavisë.

Ndeshjet, në 6-7 dhe 13-14 korrik.

Liga e Konferencave, turi i parë eleminator:

Laçi-Podgorica (Mali i Zi)

Sfintul George (Moldavi)-Partizani

Shiroki Brijeg (Bosnjë-Hercegovinë)-Vllaznia.

Ndeshjet luhen në 8 dhe 15 korrik.

Finalja e e Ligës së Konferencave luhet në 25 maj në “Arenën Air Albania” në Tiranë.

Sfidanti.al